Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka arritur në Kosovë për një vizitë zyrtare.
Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, Cakaj tha se është tepër i nderuar që ndodhet në Prishtinë.
Cakaj falënderoi edhe njëherë popullin e Kosovës për ndihmën e dhënë në rastin e tërmetit tragjik, ku shtoi se kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet menjëherë.
“Jam tepër i nderuar që jam këtu në Prishtinë. Populli i Kosovës ka shfaqur një solidaritetit që ka sfiduar edhe kufijtë e të besueshëm, institucionet civile e ushtarake kanë bërë një punë të pashembullt e Qeveria ka dhënë një financim të vyer për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit. Kufiri që ndan dy vendet tona është vetëm simbolik. Ky kufi nuk duhet të ekzistojë fare, duhet të hiqet menjëherë”, tha Cakaj.
Ai shtoi se me ministrin Konjufca trajtuan disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin e mëtejmë.
“Me z.Konjufca trajtuam disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin. E shprehëm gatishmërinë për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë. Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar z.Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës. Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë Cakaj. /Telegrafi/