Telegrafi

Cakaj: Asnjëherë nuk e kam mbështetur ndarjen e Kosovës

Gent Cakaj, Ministër në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë një interviste në T7, ka folur për të parën herë për akuzat që i janë bërë që për përkrahjen e ideve të ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Cakaj ka mohuar se ka mbështetur idenë e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, ashtu siç e kishte akuzuar Vetëvendosja.

“Është tërësisht e pavërtetë dhe deklarata e VV-s është e pasaktë. Është e dalë jashtë kontekstit. Asnjëherë nuk e kam mbështetur ndarjen e Kosovës. Kam tri deklarime ku flas kundër ndryshimit të kufijve”, ka thënë Cakaj.

Qëndrimi i Cakaj për idenë e shkëmbimit të kufijve:

– Problemi rajonal. Në rast se është precedan duhet theksuar që së pari është në shpërputhje me frymën e të gjitha të arriturave në Ballkanin Perëndimor deri tash në përgjithësi dhe politikisht nëse duhet ta parashtrojmë këtë problem sikur shqiptar është totalisht i pakonvenueshëm për shqiptarët.

–  Ndryshimet e kufijve në rajon duhet të përjashtohen kategorikisht dhe të menaxhohen kujdesshëm, sepse janë në shpërputhje me frymën e kooperimit në Ballkanin Perëndimor, me agjendën evropiane dhe me vizionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

–  Shfrytëzoj rastin po ashtu për t’u bërë kritik me idenë e korrigjimit të kufijve në një komponent të veçantë për shkak se duhet ta kemi parasysh që ka shtete si Rumania që për shkak të dinamikave të hungarezëve në rajonin e Transilvanisë mund të mos e njohin një marrëveshje të tillë. Duhet të kemi absolutisht vëmendje maksimale se si do të manifestohet në Bashkimin Evropian dhe në vende të tjera.