Telegrafi

Bytyqi: Studentëve të Departamentit të Biologjisë, do t’iu mundësohet të marrin titullin “Laborant i lartë mjekësor”

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka theksuar se kanë marrë vendim që studentët që kanë përfunduar studimet në Departamentin e Biologjisë, drejtimi “Biologji aplikative” dhe “Biokimiko – Fiziologjik”, t’u mundësohet që të ndjekin edhe një modul në lëndët klinike, në mënyrë që pas mbarimit të modulit në fjalë të marrin titullin “Laborant i lartë mjekësor”.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në profilin e tij në Facebook.

Ai ka thënë se MASHT do të mbulojë 50 për qind të tarifës së shpenzimeve për realizimin e këtij moduli.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Bytyqit:

Po ndaj me ju një vendim të rëndësishëm, që zgjidh një problem ndër vite, vetëm në mungesë të vendosmërisë për trajtimin e rasteve nga institucionet tona përkatëse.

Në bazë të nevojës për rregullimin e çështjes së studentëve, të cilët kanë përfunduar studimet e ciklit bachelor (themelor) në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore, Departamenti i Biologjisë, drejtimi “Biologji aplikative” dhe “Biokimiko – Fiziologjik”, kam marrë vendim që këtyre studentëve t’ua mundësojmë që të ndjekin edhe një modul në lëndët klinike, në mënyrë që pas mbarimit të modulit në fjalë të marrin titullin “Laborant i lartë mjekësor”.

Ky vendim është shumë i rëndësishëm për faktin se pas mbarimit të këtij moduli, studentët në fjalë kanë të drejtë t’u nënshtrohen procedurave të licencimit në Ministrinë e Shëndetësisë, e që pas shumë viteve në pritje, do tu hapë rrugë atyre për një vend pune në profesionin e tyre.

Gjithashtu, një lajm tejet i mirë që prekë këtë kategori të studentëve është se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të mbulojë 50% të tarifës së shpenzimeve për realizimin e këtij moduli.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbetet e përkushtuar që t’iu dalë krahë të gjithë studentëve që për vite të tëra, pa ndonjë arsye apo me, u janë mohuar apo shkelur të drejtat e tyre. /Telegrafi/