Politologu i Universitetit të Harvardit, Nicholas Burns përmes një postimi në Twitter ka thënë se sot Kosova është e pavarur dhe se SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet të punojnë së bashku për të ruajtur integritetin e saj territorial.
Ish diplomati amerikan një gjë të tillë e ka thënë përmes një postimi në Twitter, duke falënderuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin për takimin e tij me studentët e Universitetit të Harvardit, përcjell Telegrafi.
“Faleminderit Kryeministër Albin Kurti për takim me studentët e Harvardit sot. Kosova është e pavarur. SHBA dhe BE duhet të punojnë së bashku për të ruajtur integritetin e saj territorial dhe për ta parë atë të bëhet një anëtar i OKB-së në një Evropë të lirë, demokratike”, ka shkruar Burns në Twitter.
Thank you Prime Minister @albinkurti for meeting with Harvard students today. #Kosovo is independent. The U.S. and #EU should work together to preserve its territorial integrity and to see it become a member of the UN in a free, democratic Europe. https://t.co/uuzWlLNEXU
— Nicholas Burns (@RNicholasBurns) May 18, 2020
Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, gjatë një video-konference me studentët e Universitetit të Harvardit, ndër tjerash ka folur edhe rreth rolit të shtetit amerikan në zgjidhjen e problemit me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes finale.
I pyetur për arsyet që administrata e presidentit Donald Trump kërkon një normalizim të shpejtë të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti mendon se ambasadori Richard Grenell nuk ia dëshiron të keqen popullit të Kosovës, por kërkesën për përshpejtim të arritjes së marrëveshjes më tepër e sheh si “arritje historike nga ana e vetë Grenell”.
“Grenell ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë dhe është impresioni im se ai nuk deshi të keqen për popullin shqiptar dhe Kosovën dhe kur duhet të bëhet diçka shpejt ju mundohuni të bëni presion dhe ka një nguti prej tij për arritje të marrëveshjes historike, duke u fokusuar më pak në tekstin e marrëveshjes. Ai dëshironte marrëveshjen si qëllim të tij kryesor. Ai në tetor tha se dëshiron marrëveshje në shkurt, dhe tash dëshiron të arrihet marrëveshje deri në shtator”, ka thënë ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/