Me një shtrirje poshtë Grykës së Rugovës, horizont të mrekullueshëm e atraksione të shumta turistike, nuk është çudi se Peja është prej qyteteve më joshëse për vizitorët ndërkombëtarë e vendorë.
Vetëm 11 kilometra larg qendrës së Pejës, në fshatin e Radavcit, gjenden dy atraksione të tilla turistike – burimi i Drinit të Bardhë dhe shpella e Radavcit, shkruan Telegrafi.
Këto dyja janë vënë nën mbrojtje si monumente natyrore në vitin 1983, ndërkaq patjetër se cilësohen si vende që çdo njëri duhet t’i vizitojë.
Për të shkuar te burimi i Drinit të Bardhë, rekomandohet që me veturë të shkoni deri në restorantin “Ujëvara e Drinit”.
Nga aty fillon shtegu i lumit – shteg i mbuluar me pemë të gjata të cilat e mbulojnë me hije ujin e akullt që rrjedh nëpër gurë dhe ofron pamje magjepsëse.
Nevojiten pak minuta ecje për të arritur deri te një urë e drurit e cila ju shpie te pjesa ku rrjedha e Drinit e krijon një ujëvarë të bukur e të lartë prej rreth 30 metrave.
Ujëvara e Drinit të Bardhë është e rrethuar me peizazhe malore, andaj edhe ka një pamje shumë tërheqëse për vizitorët.
Por, ndonëse shpirti aventuresk mund t’ju shtyjë të provoni të laheni në ujin e kristaltë të kësaj ujëvare, faktikisht është thuajse e pamundur ta bëni këtë për shkak të ujit të ftohtë që është aty.
Madje, uji është aq i ftohtë saqë edhe nëse i futni vetëm këmbët, ju vështirë se do të mund të qëndroni mbi 20 sekonda aty.
Pasi të relaksoheni me pamjen e kësaj ujëvare, pastaj mund të ngjiteni edhe pak shkallëve për të shkuar deri te burimi i lumit Drin.
Përveç burimit, mjaftojnë 5 minuta ecje për të shkuar deri te shpella e Radavcit.
Për t’u futur në shpellë, duhet të paguani një shumë simbolike prej 2 eurove dhe gjatë tërë kohës do t’ju shoqërojë edhe një udhërrëfyese për t’jua treguar historinë, karakteristikat dhe detajet tjera të shpellës – e cila përbëhet nga katër galeri dhe secila është më e mahnitshme se tjetra.
Në foton e mëposhtme e keni një nga karakteristikat e kësaj shpelle. Një figurë që ngjason me dorë është rezultat i bashkimit të stalaktitit me stalagmit dhe tregon vjetërsinë e shpellës që është rreth 2 milionë vite e vjetër. Kjo për shkak se për t’u rritur vetëm 1 centimetër, stalagmitit dhe stalaktitit i nevojiten 100 vite kohë.
Përndryshe, shpella ka marrë emrin “Bukuroshja e Fjetur” për shkak se shpeleologët kanë thënë se shpella ka pasur shumë bukuri brenda të cilat kanë qenë fjetur derisa janë zbuluar tash vonë (sepse shpella për vizitorë është hapur në vitin 2016).
Një vizitë në burimin e lumit Drin dhe në shpellën e Radavcit do t’jua forcojnë bindjen se Kosova vërtet është një thesar i mbushur me bukuri natyrore. /Telegrafi/