Kuvendi i Komunës së Podujevës mbajti mbledhjen inauguruese në të cilën dhanë betimin kryetari i rizgjedhur i komunës, Shpejtim Bulliqi dhe anëtarët e rinj të kuvendit.
Seancën inauguruese të kuvendit e udhëhoqi, anëtari më i moshuar, Ilmi Hoxha.
Pas betimit solemn dhe nënshkrimit të deklaratës, para asamblistëve dhe musafirëve prezent fjalë rasti mbajti kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
“Dua ta filloj duke ju uruar mandatin të gjithë juve të nderuar asamblistë, që keni fituar besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata në kuvend, poashtu dua t’i falënderoj asamblistët e mandatit të kaluar për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur”, tha kryetari Bulliqi.
Tutje ai tha se “si kryetar i Komunës, unë ua shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë juve, pa dallim partie, që të punojmë bashkërisht e të shtyjmë përpara projektet që zhvillojnë komunën dhe mbrojnë interesat e përgjithshme”.
“Pra më është besuar detyra të udhëheq një komunë që ashtu siç e ka dashur puna dhe detyra e atdheut tonë, gjithmonë i është përgjigjur siç është më së miri. Pra një komunë e regjion me një traditë e identitet të fuqishëm kombëtar e kolektiv të dëshmuar në çdo rrethanë”, tha Bulliqi.
Kuvendi i Komunës i Podujevës në mandatin ardhshëm përfaqësohet nga këshilltarë prej pesë subjekteve politike. Lidhjen Demokratike të Kosovës e përfaqësojnë 14 këshilltarë, Lëvizjen Vetëvendosje 13 këshilltarë, Partinë Demokratike të Kosovës 4 këshilltarë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës 3 këshilltarë dhe Ballin Kombëtar Demokrat 1 këshilltar. /Telegrafi/