Site icon Telegrafi

Bulliqi rithekson: Kosova humb territor, mbetet në dorën e deputetëve miratimi ose rrëzimi i Demarkacionit (Video)

Kryesuesi i Komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e territorit, Shpejtim Bulliqi në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth raportit të dorëzuar dje në Qeverinë e Kosovës, lidhur me marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Bulliqi ka thënë se së bashku me komisionin që kanë udhëhequr kanë punuar nën presion.

“Kemi punuar nën presionin e kohës, dhe kërkesa e qeverisë ka qenë e ngutshme që raporti të përfundohet para Vitit të Ri. Kemi punuar nën presionin e disa institucioneve, organizatave ndërkombëtare, presion medial etj”, tha Bulliqi.

Ai shtoi se ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij, duke shtuar se në vend të shënjimit të kufirit me Malin e Zi kanë krijuar një kufi të ri.

“Ish-komisioni i ka tejkaluar kompetencat e tij, detyra ka qenë që ta shënjoj kufirin t’i vënë pikat në terren por nuk ka qenë kompetencë dhe detyrë e këtij komisioni mu ul me palën malazeze për të diskutuar. Vija kufitare administrative mes Kosovës dhe Malit të Zi është ndryshuar, sepse këta i kanë dhënë të drejtën vetës që të hyjnë në dialog me palën malazeze për të bërë kufi të ri. Nga vija administrative kufirin e Kosovës e kanë shndërruar në kufi kadastral, dhe si rezultat i kësaj Kosova ka humbur territor”, u shpreh Bulliqi.

Bulliqi theksoi se marrëveshja e nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 për Demarkacion nuk është në rregull, mirëpo nëse institucionet e vlerësojnë si të drejtë atëherë le ta shtyjnë përpara këtë proces.

“Kjo çështje nuk është e imja por e Kosovës, nëse institucionet vlerësojnë që është në rregull le të urdhërojnë ta shtyjnë tutje këtë marrëveshje. Ky proces ose duhet të shkojë tutje ose të rrëzohet.”, tha Bulliqi. /Telegrafi/

Exit mobile version