Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka folur sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës pas fitores së djeshme në zgjedhjet në Podujevë.
Bulliqi ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë votuar atë, transmeton Telegrafi.
“I përgëzoj të gjithë qytetarët për sjelljen dhe për një fitore mahnitëse, dhe për sjelljen e ndryshimit pas 20 viteve. Ishte ditë e veçantë, për arsye se dita e djeshme ishte dite e ndryshimit. Nga dje Llapi dhe Gollaku shpresoj se frymon lirshëm. Falënderoj të gjithë qytetarët që na ndihmuan në këtë fitore”, tha ai në fjalimin e tij në Kuvend.
Bulliqi ka përmendur edhe ministrin e Infrastrukturës nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, duke thënë se e kanë ndihmuar me disa centimetra asfalt.
“Edhe ministri Abrashi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, gjatë kësaj kohe me ato dy centimetra asfalt ka ndihmuar punën e institucioneve lokale nga nesër. Nesër si kryetar i Podujevës do të punojë shumë dhe fuqishëm dhe do t’i trajtoj të gjithë të barabartë”, deklaroi ai.
Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.
Valdete Daka, kryetare e KQZ-së ka thënë në konferencë për media se Shpejtim Bulliqi (LVV), ka fituar 51.64 për qind, Nexhmi Rudari (LDK), 36.97 për qind dhe Naim Fetahu (PDK), 12.40 për qind. /Telegrafi/