Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka dënuar sulmin ndaj dy punëtorëve shëndetësorë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.
Bulliqi përmes një postimi në Facebook, thotë se sulmet e tilla janë të papranueshme, transmeton Telegrafi
“E dënoj ashpër sulmin fizik dhe verbal që ka ndodhur ndaj dy punëtorëve shëndetësor mbrëmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë. Sulmet e tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë janë të papranueshme, veçanërisht në vendin e punës, ndërsa tolerimi i tyre krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen duke nxitur pasiguri në punë në mesin e komunitetit shëndetësor”, thotë Bulliqi.
Tutje, ai ka bërë thirrje organeve të rendit ta trajtojnë shpejt dhe me prioritet këtë rast dhe keqbërësi ta marrë dënimin meritor për kanosje fizike ndaj zyrtarëve publikë.
“Të lënduarve ju uroj shërim të shpejtë”, u shpreh ai./Telegrafi/