Ministria bullgare e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ka dëbuar një tjetër diplomat rus me dyshimin për spiunazh, vetëm dy javë pasi vendi ballkanik shpalli dhjetë zyrtarë të Ambasadës ruse persona non-grata.
Sipas njoftimit të MPJ-së, ky zyrtar rus ka kryer aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
“Ministria e Jashtme i dorëzoi një notë zyrtarit diplomatik i shpallur persona non-grata, duke i dhënë atij një afat prej 72 orësh për t’u larguar nga Bullgaria”, tha MPJ në një deklaratë.
Masa pasoi pas një kërkese nga Prokuroria bullgare se diplomati – Sekretar i Parë në Ambasadën e Rusisë në Sofje – ishte “përfshirë në aktivitete të parregullta të inteligjencës” duke mbledhur “informacione të rëndësisë kombëtare”.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare e Bullgarisë (SANS) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kishte kryer operacionin në shkallën më të gjerë për arrestimin e spiunëve rusë në vend, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. /Telegrafi/