Është bërë e pashmangshme pjesëmarrja e vajzave shqiptare në garat e bukurisë në Zvicër.
Në spektaklin më të njohur të bukurisë në Zvicër “Miss Zvicra 2015” edhe këtë vit në mesin e finalisteve janë edhe dy shqiptare. Sindi Arifi dhe Nasibe Ali janë përzgjedhur në mesin e 12 bukurosheve për të konkurruar për kurorën e “Miss Zvicra 2015”, njofton “albinfo.ch”.
Sindi Arifi me prejardhje nga Mali i Zi tashmë është emër i njohur për mediat zvicerane dhe gjasat për të pasur sukses janë shumë të mëdha. Në vitin 2014 ajo u zgjodh “Miss Zvicra Romande” ndërkohë që është i njohur edhe talenti i saj për muzikë.
Në moshën 16 vjeçare ajo ka filluar të luaj me piano dhe kitarë. Pas kurorës së fituar në “Miss Zvicra Romande”, çmim ky për pjesët zvicerane franceze, Sindi është marrë edhe me modelim ku ka reklamuar për firma të njohura në Zvicër dhe jashtë saj. Sindi është anëtare e “Fondation Enfants Papillons” dhe banon në Martigny, kanton Wallis.
Hobi i Sindit është volejbolli, muzika, modelimi dhe muzika, kurse që pesë vite është në lidhje më të dashurin e saj Alvaron.
Babai i Sindit është mysliman, i dashuri i saj katolik, femrat në familje i përkasin fesë ortodokse, ndërsa në banesën e saj qëndron një Buddha. Cilës fe i përket në fakt, Sindi?
“Feja ime është dashuria”, thotë 21 vjeçarja Arifi për schweizer-illustrierte.ch, transmeton “ albinfo.ch”
Për Sindin “albinfo.ch” ka shkruar disa herë për sukseset dhe angazhimet e saj në fushën e modës dhe të muzikës.
Ndërkohë një finaliste tjetër që është kandidate për kurorën e 2Miss Zvicra 2015” është edhe Nasibe Ali. Vajza me rrënjë shqiptare banon në Locarno të Tesinës. Nasibja punon si shitëese e këpucëve në “Manor”, ndërsa pas punës ajo del të vrapojë përskaj liqenit kurse dëgjon edhe këngëtaren e saj të preferuar Rihannen. Kohën e lirë e kalon duke u marrë me aktivitete të modës ndërsa një kohë të madhe e kalon edhe me të dashurin e saj, Edman.
Nasibja është person optimist që edhe në situatat më të vështira ajo shikon vetëm anët pozitive.
“Për më tepër unë jam një person që me shumë dëshirë kujdesem dhe vetëflijohem për të tjerët”, ka thënë ajo. Model të jetës së saj 19 vjeçarja shqiptare ka thënë se e ka babain e saj.
Finalja e “Miss Zvicra 2015” do të mbahet me 7 nëntor në Bazel. Vitin e kaluar vendin e tretë të “Miss Zvicra 2014” e kishte zënë, shqiptarja Saranda Maliqi.