Telegrafi

Buffon dhe Allegri e kishin paguar aeroplanin privat që i dërgoi lojtarët e Juves në varrimin e Astorit

(Foto: Getty Images)

Gianluigi Buffon dhe Massimiliano Allegri e kanë paguar nga xhepi i tyre aeroplanin privat, me të cilin skuadra e Juventusit arriti në funeralin e Davide Astorit – bëjnë të ditur mediat italiane.

Bianconerët zhvilluan ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Tottenham Hotspurit të mërkurën në Londër, ndërsa varrimi i kapitenit të Fiorentinas ishte një ditë pas.

(Foto: Getty Images)

Delegacioni i Juves ia arriti të ishte i pranishëm në Firence, gjë që u përshëndet dhe u pritën me duartrokitje nga tifozët e Violas, përkundër rivalitetit të madh midis klubeve.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për DAVIDE ASTORIN

Tash, La Nazione raporton se pas ndeshjes ndaj Spursave, Buffon u kishte thënë bashkëlojtarëve se një aeroplan privat do t’i dërgonte në Firence për të marrë pjesë në varrimin e futbollistit italian.

(Foto: Getty Images)

Kapiteni u kishte thënë futbollistëve të Juves se kushdo që dëshironte të merrte pjesë në funeral, të paraqitej në hollin e hotelit, derisa të tjerët mund të qëndronin dhe se i kuptonte ata që dëshironin të pushojnë pas një ndeshjeje aq të lodhshme.

Megjithatë, të gjithë lojtarët u paraqitën për të shkuar në varrim, porse aeroplani ishte i vogël dhe nuk kishte vend për të gjithë.

(Foto: Getty Images)

Sipas La Nazione, Buffon dhe Allegri e kishin paguar aeroplanin me 12 ulëse për t’u nisur drejt Firences, ku i ka pritur edhe Federico Bernardeschi.

Gazeta, po ashtu, raporton se policia italiane i kishte propozuar delegacionit të Juventusit që të hynte në Basilica di Santa Croce nga hyrja e pasme, mirëpo Buffon u kishte kërkuar bashkëlojtarëve që të ecnin rrotull dhe të hynin përpara për të shprehur solidaritetin e tyre me qytetarët e Firences.

(Foto: Getty Images)

Kapiteni i Juves më pas i ka falënderuar tifozët e Fiorentinas për reagimin e tyre pas arritjes së lojtarëve Bianconerë. /Telegrafi/