Telegrafi

Bruno Fernandes ndiqet nga Real Madridi

Real Madridi ka rinovuar interesimin e tyre për mesfushorin kreativ të Manchester Unitedit dhe Portugalisë, Bruno Fernandes.

28-vjeçari ka pasur një fillim fantastik në Kupën e Botës , duke regjistruar dy gola dhe dy asistime në dy ndeshjet e para të Portugalisë në fazën e grupeve.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, këto paraqitje kanë shtyrë Real Madridin të dërgojë skautët për të parë Fernandes, i cili do të jetë në aksion sot (e premte) kundër Koresë së Jugut.

Los Blancos më parë ishin të interesuar për nënshkrimin e portugezit ndërsa ai ishte në Sporting Lisbona. Ai iu bashkua me Unitedin në janar të vitit 2020 për 63 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2026.

Si rezultat i paraqitjeve të tij të deritanishme në Botëror, Real Madridi ka riaktivizuar interesin për Fernandes.

Ata po shikojnë objektivat e mesfushës dhe janë lidhur shumë me Jude Bellingham, si dhe janë duke vlerësuar me interes lojtarë si Enzo Fernandez dhe Stanislav Lobotka.

Megjithatë, Unitedi nuk është i gatshëm të shesë dhe Real Madridi do të duhet të paguajë shumë më tepër se 63 milionë euro që pagoi skuadra angleze për mesfushorin portugez. /Telegrafi/