Telegrafi

Britaniku bleu veturën sportive Ferrari 488 GTB, e përplasi pas vetëm tri kilometrave

Një burrë nga Britania e Madhe, bleu një Ferrari 488 GTB të cilin nuk e voziti shumë, pasi akoma pa i bërë pak kilometra pësoi aksident trafiku.

Policia britanike ka njoftuar se nuk ka pasur të lënduar në këtë aksident, por se egoja dhe kuleta e pronarit kanë pësuar goditje të fortë, transmeton Telegrafi.

Ferrari 488 GTB u prodhua në vitin 2017 dhe ishte blerë në Derby të Anglisë, ku pronari pasi bëri saktësisht tri kilometra shkaktoi aksident trafiku – duke dëmtuar veturën sportive.

Ndryshe bëhet fjalë për Ferrarin e lyer me ngjyrën Rosso Cora, që me të dalë nga fabrika ka përshkuar 21.565 kilometra. Më herët kishte pasur dy pronarë, e është i pajisur me pakon “carbon” që nënkupton komponentë të karbonit dhe çmim tejet të lartë.

Ferrari 488 GTB e vë në lëvizje motori 3.9 litërsh V8 që prodhon 669 kuaj-fuqi, e shpejtësinë nga 0-100 kilometra e arrin për 3 sekonda. Shpejtësia maksimale e kësaj veture është 330 kilometra në orë.

Sesi ka ardhur saktë deri te aksidenti akoma nuk dihet, por duket se vetura ishte përplasur në rrethojën mbrojtëse, e në fotografi shihet se po lëvizte në kahjen e kundërt. /Telegrafi/