Site icon Telegrafi

Britania lanson fushatën “Bëhuni gati për Brexit”

Qeveria britanike ka lansuar një fushatë informuese për publikun me thirrjen, “Bëhuni gati për Brexit”.

Fushata ka nisur të dielën dhe është publikuar edhe në faqen qeveritare.

Në ditët në vijim është thënë se në kuadër të fushatës do të ketë edhe mbishkrime në rrugë dhe reklama televizive.

Michael Gove, që është i ngarkuar për të planifikuar largimin e Britanisë pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian, ka thënë se reklamat bëjnë thirrje për “ndarje të përgjegjësisë”, nëse Britania largohet nga blloku evropian pa ndonjë pajtueshmëri më 31 tetor.

Është raportuar se fushata do të kushtojë rreth 100 milionë funte britanike, teksa ministrat tentojnë të informojnë njerëzit se çfarë do t’iu duhet të bëjnë nëse nuk ka ndonjë marrëveshje para afatit të fundit.

Shtetasit britanikë që synojnë të udhëtojnë në Evropë dhe bizneset që eksportojnë në BE është thënë se janë grupet specifike që janë shënjestruar në këtë fushatë.

Teksa ka bërë të ditur për fushatën, Gove ka thënë se të siguruarit që Mbretëria e Bashkuar largohet nga BE-ja në një mënyrë të duhur “nuk është vetëm çështje e rëndësisë kombëtare, mirëpo edhe e përgjegjësisë së përbashkët”.

Gove është kritikuar nga një asociacion për tregti, meqë ai ka pretenduar se nuk do të ketë mungesa të ushqimit të freskët dhe ilaçeve në rast të Brexitit pa marrëveshje.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka paralajmëruar të premten se secili tentim nga ligjvënësit për të bllokuar apo shtyrë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian përtej 31 tetorit, mund të shkaktojë “dëm afatgjatë” sa i përket besimit publik në politikë.

“Nëse e bllokojmë Britaninë nga të larguarit më 31 tetor, nëse një gjë të tillë do ta bëjnë parlamentarët, kjo do të shkaktojë dëm në besimin publik të njerëzve sa i përket politikës”, ka thënë ai për televizionin Sky.

“Do të shkaktojë dëm katastrofik në partitë e mëdha në këtë shtet. Kjo gjeneratë politike nuk do të falet për dështim të realizimit të atij premtimi”.

Johnson ka njoftuar javën e kaluar për pezullim të punës së Parlamentit, vetëm disa javë para se të finalizionet procesi i Brexitit.

Ky veprim i tij është interpretuar si tentim për të kufizuar veprimet e kundërshtarëve.

Mbretëresha Elizabeta II, sipas këshillës së kryeministrit, ka vendosur për pezullim të punës së parlamentit nga mesi i shtatorit.

Ky vendim ka nxitur kundërshtime të mëdha si në mesin e politikanëve britanikë, ashtu edhe në mesin e atyre që kundërshtojnë largimin e Britanisë nga blloku evropian pa marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016. /Rel/

 

Exit mobile version