Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas publikimit të lajmit që qeveria britanike po harton një ligj për të rikthyer menjëherë mbrapsht emigrantët e paligjshëm shqiptarë që shkojnë në ishull.
Sipas këtij plani, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe emigrantët nga ky vend nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit, vetëm në raste shumë të veçanta.
Në një postim në Twitter Rama tha se “shënjestirmi i shqiptarëve (siç disa bënë turpshëm kur luftonin për Brexit) si shkakun e krimit në Britani dhe problemet në kufi, është retorikë e lehtë, por injoron një fakt me peshë të rëndë. Të përsëritësh të njëjtat gjëra dhe të presësh të njëjtin rezultat është çmenduri. Cit. Ajnshtajni”.
“70 për qind e 140 mijë shqiptarëve që janë transferuar në Mbretërinë e Bashkuar jetonin në Itali dhe Greqi. 1,200 prej tyre janë biznesmenë. Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar punojnë fort dhe paguajnë taksat. Mbretëria e Bashkuar duhet të luftojë bandat kriminale të çdo lloj kombësie dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve si justifikim për politikat e dështuara”, shtoi kryeministri përmes një serie postimesh në Twitter, në gjuhën angleze.
“Shqipëria është një shtet i NATO-s dhe po negocion për t’u anëtarësuar në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania kishte problem të ngjashëm shtrëngoi sistemet e veta. Mbretëria e Bashkuar mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, jo të përgjigjet me retorikë krimi që përfundon me ndëshkimin e të pafajshmëve”, tha Rama
“Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe për një kohë shumë të gjatë ka qenë viktimë e perandorive, nuk kemi pasur kurrë tonën. Kemi për detyrë që të luftojmë krimin në vendin tonë dhe po e bëjmë me vendosmëri, gjithashtu duke bashkëpunuar me të tjerët. Gati për të bashkëpunuar më ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare. Po kështu edhe respekti reciprok”, shtoi kryeministri. /Telegrafi/
Targeting Albanians (as some shamefully did when fighting for Brexit) as the cause of Britain’s crime and border problems makes for easy rhetoric but ignores hard fact. Repeating the same things and expecting different results is insane (ask Einstein!)
— Edi Rama (@ediramaal) November 2, 2022