Telegrafi

Britania e Madhe pritet ta rrit shkëmbin tregtar me SHBA-në pas BREXIT-it

Ministri britanik i Tregtisë, Liam Fox | Foto: Matt Cardy/Getty Images/Guliver

Ministri britanik i Tregtisë, Liam Fox, ka deklaruar se është e pamundur që Bashkimi Evropian t’i ofrojë Britanisë së Madhe një shtyrje të gjatë të BREXIT-it, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme evropiane.

Fox tha se është ende “krejtësisht e mundshme” që Britania e Madhe të largohet nga BE-ja sipas planit më 29 mars, por mund të jetë e nevojshme një zgjatje e periudhës negociuese për nenin 50, për të pasur një dalje të qetë nga BE-ja, përcjell Telegrafi.

Kryeministrja britanike Theresa May, ka deklaruar se çdo zgjatje s’mund ta kalojë fundin e qershorit.

Lexo po ashtu Bizneset britanike po përballen me fitimet të ulëta në gjashtë vite

SHBA-ja ka paraqitur objektivat e saj për një marrëveshje tregtare pas BREXIT-it me Britaninë e Madhe, duke kërkuar të eliminojë tërësisht ose të pakësojë pengesat për produktet bujqësore amerikane dhe të rregullojë ndryshimet ligjore.

“Shumica e tregtisë sonë, siç e thashë, tani SHBA-ja është partnerja jonë më e madhe tregtare, bëhet sipas rregullave të OBT-së. A ka gjëra që mund të përmirësojmë? Po, ka disa gjëra në tregtinë e mallrave dhe ka shumë në tregtinë e shërbimeve. A do të pranojmë ne gjëra që besojmë se janë kundër interesave të konsumatorëve apo prodhuesve tanë? Jo, këto janë negociata”, tha ministri Fox.

Lexo po ashtu Pasojat ekonomike të Britanisë së Madhe pas BREXIT-it

Kundërshtarët e BREXIT-it, thonë se një marrëveshje e tillë me SHBA-në do të hapte tregjet e Britanisë së Madhe ndaj produkteve të tilla si pulat e trajtuara me klor dhe drithërat e modifikuara gjenetikisht. /Telegrafi/