Britania e Madhe do të ndihmojë Izraelin të kërkojë pengjet e Hamasit në Rripin e Gazës, njoftoi qeveria britanike.
“Në mbështetje të aktiviteteve të shpëtimit të pengjeve, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe do të kryejë patrullime ajrore mbi Mesdheun lindor, duke përfshirë operacione në hapësirën ajrore mbi Izrael dhe Gaza”, njoftoi qeveria britanike, transmeton Telegrafi.
Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes thanë se një numër aeroplanësh të paarmatosur do të përdoren për fluturime zbulimi, duke përfshirë Shadow R1, i cili përdoret për mbledhjen e të dhënave.
Aeroplanët do të përdoren ekskluzivisht për gjetjen e pengjeve dhe vetëm informacionet në lidhje me shpëtimin e tyre do t’u përcillen autoriteteve kompetente.
Ndryshe, lëvizja islamike palestineze Hamas rrëmbeu rreth 240 persona gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael.
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord javën e kaluar për një armëpushim të parë të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, dhe është zgjatur shkurtimisht dy herë.
Gjatë armëpushimit, Hamasi liroi 105 pengje dhe Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë.
Izraeli supozon se 137 persona të tjerë janë të bllokuar në Rripin e Gazës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se 15 gra dhe dy fëmijë janë mes tyre.
Hamasi njoftoi se do të rifillojë negociatat për lirimin e pengjeve të mbetura vetëm kur të përfundojë lufta në Gaza. Armëpushimi përfundoi të premten në mëngjes dhe luftimet u ndezën përsëri. /Telegrafi/