Site icon Telegrafi

Britania e gatshme për ta mbështetur Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Drejtorin e Evropës në Ministrinë Britanike për Punë të Jashtme dhe Zhvillim, Giles Portman. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbott.

Sipas një njoftimi për media, Portman shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë britanike për të vazhduar të përkrahë Kosovën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.

“Duke e falënderuar Portman për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik i ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti tha se ai është i përkushtuar që Qeveria që udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për ndihmën rreth njohjeve për Kosovën dhe kërkoi bashkëpunim të mëtejmë me Mbretërinë e Bashkuar për njohje të reja”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas njoftimit, kryeministri Kurti dhe Portman biseduan në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe procesin e përgatitjes për dialog.

Po ashtu u bisedua për gjendjen me pandeminë dhe masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Portman potencoi faktin që pasi Britania është jashtë BE-së, është rritur mundësia për fuqizim të bashkëpunimit bilateral. /Telegrafi/

Exit mobile version