Njohja e Kosovës nga Izraeli ka bërë që nga dy vendet të hapen shumë mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë.
Bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i Korporatës për Zhvillim Kosovë – Izrael, Damian Brikman për RTK ka bërë me dije se do të bisedojnë për fillimin e fluturimeve nga Prishtina për Tel Aviv.
Disa javë më parë Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem. Kjo pasoi vetëm pak kohë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin më 1 shkurt 2021.
Kosova është vendi i tretë pas SHBA-së dhe Guatemalës që hapi misionin e saj diplomatik në Jerusalem.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dokumentin për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit Donald Trump.
Bashkimi Evropian, më 2 shkurt të vitit 2021, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur. /Telegrafi/