Site icon Telegrafi

Sot Parlamenti britanik voton për Brexit

Deputetët britanikë përgatiten të votojnë sot për ta miratuar ose jo marrëveshjen e Theresa Mayt për shkëputjen nga Bashkimi Evropian. Vota më domethënëse ndonjëherë pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës, pas përfundimit të një debati gati 5-ditor mbi “Brexit”-in.

May u ka bërë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin marrëveshjen e saj, në të kundërt rrezikojnë “të zhgënjejnë popullin britanik”. Por, duke qenë se shumë prej deputetëve të saj pritet t’u bashkohen partive opozitare për të votuar kundër marrëveshjes, pritet gjerësisht që ajo të dalë e humbur në këtë votim.

Deputetët do të mund të sugjerojnë edhe amendamentet që mund ta përmirësojnë marrëveshjen, përpara se votimi të nisë rreth orës 19 (20 me tonën).

Kryeministrja iu adresua deputetëve të Parlamentit pasditen e së hënës, në përpjekjen e fundit të saj për të siguruar mbështetje për marrëveshjen, e cila përfshin qoftë akordin e tërheqjes me kushtet e përcaktuara mes Britanisë dhe BE-së, sikurse edhe një deklaratë politike për marrëdhëniet e ardhshme. /kp/Telegrafi/

 

 

Exit mobile version