Telegrafi

Brenda njësisë speciale të ushtrisë ukrainase, misioni i tyre është vëzhgimi – mbledhja e informacioneve si dhe infiltrimi në rajonet e pushtuara nga rusët

Ekipi i CNN ka qëndruar dje me njësinë speciale të ushtrisë ukrainase, që kanë vetëm një mision, vëzhgimin, mbledhjen e informacioneve, sigurimin e koordinatave të forcave pushtuese si dhe infiltrimin e pjesëtarëve të saj në rajonet që akoma kontrollohen nga rusët.

Këtë njësi e përbëjnë kryesisht ish-pjesëtarë të njësive elitare me përvojë të madhe ushtarake por edhe nga inteligjenca, e ata që nga fillimi i luftës në Ukrainë kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftime, transmeton Telegrafi.

Gazetarët e CNN qëndruan me ta në qytetin e çliruar të Khersonit, ku nga dita e parë e luftës po vëzhgojnë çdo lëvizje të trupave të armikut.

Ata përdorin teknologjinë më të avancuar siç janë ato për përgjim të bisedave të eprorëve të lartë rusë në radiolidhje, mbledhin informacione për pozicionet e ushtarëve të Putinit, si dhe ngritin në ajër dronët për të marrë koordinatat e sakta të mjeteve luftarake.

Të gjitha këto më pas ia dorëzojnë njësive në terren siç janë artileria, këmbësoria që veprojnë duke i goditur me precizitet të lartë rusët.

Shumica e tyre kanë përvojë luftarake, pasi kanë shërbyer në misione të ndryshme si dhe në raste të caktuara kanë punuar në departamente të ndryshme të kundërzbulimit. /Telegrafi/