Thellë në pyje në lindje të Ukrainës, njësia e tankeve të ushtrisë ukrainase është fshehur nën pemë, shkruan Sky News.
Makineritë e tyre gjigante që përfshijnë ato të kohës së Bashkimit Sovjetik siç janë T-72 dhe T-84, mbrohen nga nëna natyrë (gjelbërimi), transmeton Telegrafi.
Megjithatë, kjo nuk e siguron ekuipazhin e tyre që të mos kapen nga kamerat e dronëve rusë.
Çdo tank i tyre është i kamufluar me degë të pemëve, dhe pothuajse janë të paparë për syrin e njeriut.
Madje ata në një rast kishin kaluar shumë pranë afër gjashtë tankeve ruse në pyje, dhe nuk ishin vërejtur fare nga forcat e armikut.
Komandanti i njësisë Vitalii Timoshuk u pyet nga ekipi i Sky News-it, se përse kujdesen aq shumë për këto makineri të blinduara.
“Po të mos kemi mjete, nuk kemi me çfarë të luftojmë. Çfarë të them? Po i ruajmë tanket, pasi nuk kemi edhe aq shumë”, shtoi Timoshuk.
Madje një prej anëtarëve të kësaj njësie të tankeve, po punon shumë në riparimin e një tanku T-84. Sipas tij është një pajisje shumë e çmuar dhe k0nsiderohet si tank i avancuar – pavarësisht se Ukraina i ka vetëm gjashtë sosh.
Duke qëndruar mbi të, Andrii Koval i tregoi ekipit të gazetarëve të Sky News-it, se ky tank është i fuqishëm dhe i shpejtë – pavarësisht se sipas tij shpesh ka vështirësi për ta nisur.
“Ka disa të meta nëse flasim në përgjithësi, por është një makineri e mirë luftarake. Qëllon me precizitet nga distanca prej 3 apo 4 kilometra dhe lëvizë me shpejtësi. Kjo është ajo çfarë na nevojitet”, shtoi ai.
Andrii dhe kolegu i tij Vadim, janë duke operuar në tankun e tretë, pasi dy të parët i humbën gjatë luftimeve me forcat ruse.
“Ishte një goditje direkte mbi mjetin tonë, ekuipazhi ka arritur të evakuohet. Raketa ruse me një fjalë ka fluturuar mbi kokën tonë”, tha Andrii.
Ata shpesh herë përdorin telefonat e mençur për të dokumentuar betejat, në të cilat kanë marrë pjesë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
Kur komandanti i njësisë së fshehtë të tankeve, Timoshuk i tregoi gazetarëve se kanë arritur të parandalojnë shumë sulme të ushtrisë ruse – ai gjithashtu i tregoi edhe fotografitë për ta ilustruar ngjarjen.
Timoshuk është vetëm 21-vjeç dhe zyrtarisht u diplomua në akademinë ushtarake, pikërisht në ditën kur Sky News po e vizitonte këtë njësi.
“Anëtarët e njësisë tonë janë njerëz me përvojë, e dinë mirë për çfarë kanë ardhur këtu, për familjen dhe atdheun. Kjo do të na ndihmojë ta fitojmë luftën”, shtoi Timoshuk.
Ky i ri nga Ukraina nuk hezitoi që me krenari të tregojë sesi ukrainasit kanë arritur t’i sekuestrojnë mbi 400 mjeteve të blinduara ruse – përfshirë pesë që tani i shfrytëzon njësia e tij.
Timoshuk ia prezantoi gazetarëve ekipin e tij duke filluar nga Roman Batsenko, që ka arritur t’ua vjedh rusëve dy tanke para syve të tyre.
“Inteligjenca na tregoi për ta. Njëra ishte goditur nga mina e tjetër po punonte akoma dhe kështu shkuam për t’i marrë”, shtoi ai. /Telegrafi/