Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë një jave ka punuar në Planin Operativ “Kontrolli i mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve”.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të këtyre mjeteve ka identifikuar kundërvajtje të ndryshme ku janë shqiptuar 235 gjoba për kundërvajtje të ndryshme vetëm për mjetet transportuese.
Ndërsa, nga inspektorët e kësaj ministrie thuhet se janë shqiptuar 39 fletëparaqitje për parregullsi në dokumentacion për ato mjete.
“Përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor, të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe kushtet atmosferike, të mbajnë distancë në mes mjeteve me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, bëhet e ditur se për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për shoferët e mjeteve të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi. /Telegrafi/