Politikëbërësit e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), thonë se kriptovalutat si Bitcoin dhe bankat e firmat financiare që i tregtojnë, duhet të jenë brenda një kuadri të rreptë rregullator.
Zyrtarët e ekonomive më të mëdha të botës pritet të diskutojnë për ndikimin e valutave dixhitale në takimin e radhës të G20-së në Argjentinë, ku do të tregojnë një qasje më të koordinuar ndaj rregullimit të këtyre aktiveve.
Sipas anëtarit të bordit të BQE, Yves Mersch, çdo biznes për kriptovalutat e institucioneve financiare duhet të mbikëqyret në mënyrë rigoroze, për t’u siguruar se rreziqet që vijnë nga aktivitete të tilla janë të përmbajtura.
Sipas tij, duke marrë parasysh rrezikun e shfaqur nga përdorimi i levës financiare, institucionet nuk duhet të pranojnë valuta dixhitale si kolateral.
Këtë vit, kërcënimi rregullator dhe ndalimi i blerjes nëpërmjet kartave të kreditit, ka shkaktuar një rënie masive në tregun e kriptovalutave.
Sipas zyrtarëve, autoritetet duhet të monitorojnë gjithashtu ofertat fillestare të monedhave, ku kompanitë emetojnë valutat e tyre për të gjeneruar para nga publiku.
Në vitin 2016 sasia totale e fondeve të gjeneruara në këtë formë, shënoi më pak se 82 milionë euro, ndërsa në 2017-në, kjo shifër u rrit në mënyrë drastike në 3 miliardë euro.
Gjithashtu, Mersch tha se BQE po përpiqet të krijojë valutën e vetë dixhitale, megjithatë theksoi se do të jetë më shumë në formën e një paraje dixhitale se sa një revolucioni të stilit të bitcoin.
Bankat qendrore kanë krijuar para dixhitale nëpërmjet rezervave që bankat vendosin apo marrin hua, megjithatë nuk është teknikisht e njëjtë me paranë që del nga bankomatet dhe që përdoret për pagesat e përditshme. /Telegrafi/