Telegrafi

Boshnjaku: Suksesi i Era Istrefit dallon nga ai i Rita Orës dhe Dua Lipës

Kompozitori i mirënjohur Florent Boshnjaku ka rrëfyer për emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini detaje interesante nga jeta dhe karriera e tij profesionale.

Florent Boshnjaku ka lindur në Gjakovë. Në moshën 4 vjeçare bashkë me familjen është zhvendosur në Prishtinë,  ndërsa më pas ka emigruar në SHBA.

Vetë kompozitori thotë se kur pyetet prej nga është nuk di saktësisht të përgjigjet, pasi ka ndryshuar shumë pasaporta.

“E di sigurt se jam nga planeti tokë”, shprehet me buzëqeshje Florenti. Ai tregon se askush nga familja e tij nuk e ka pasur profesion muzikën, edhe pse babai i tij i ka rënë kitarës për pasion.

Boshnjaku tregon se me kompozim e këngëve ka filluar të merret nga vitet e ’80 në Radio Prishtina.

“Me punë aktive kam filluar nga viti 1993 kur kam kompozuar këngët “Moj biondinë me sytë e zi” me grupin “Besnikët”, “Viza C” me Gilin, kam pasur këngë me Bekën, Verën etj.”, tha ai , përcjell Telegrafi.

Duke përshkruar njërin prej sukseseve më të mëdha në karrierën e tij, këngën “Suus” të interpretuar nga Rona Nishliu, Boshnjaku thotë se kjo këngë ishte vazhdimësi e punës shumëvjeçare, duke shtuar se ka pasur edhe këngë tjera të mira por, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhej Kosova, ato nuk kanë pasur jehonë.

Ai rrëfen momente interesante, kur kanë vendosur të konkurrojnë në Festivalin e Këngës në RTSH, bashkë me Ronën.

“Në asnjë moment nuk kemi menduar se do të ketë sukses kënga “Suus”. Nuk kemi menduar se do të na pranojnë këngën as në RTSH. Kënga nuk ishte komerciale, dhe ishte e veçantë e ndryshe. Kjo veçanti e saj, është vlerësuar në Evrovizion më shumë se në fillim te ne”.

Kompozitori ka thënë se me kënaqësi do të bashkëpunoja me Rita Orën, Dua Lipën por edhe me Era Istrefin.

“Të tria janë super artiste. Erën do ta dalloja nga Rita dhe Dua, të cilat praktikisht kanë pas kompanitë më të mëdha në botë të cilat merren me publikim dhe menaxhim të këngëve, Era Istrefi e ka pas një sukses nga Prishtina, pastaj ka bërë kontrata me jashtë”, tha ndër të tjera kompozitori i njohur, Florent Boshnjaku./Telegrafi/