Site icon Telegrafi

Borxhlinjtë e mbajtur fshehtë

Institucionet shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike ende nuk kanë publikuar listat e borxhlinjve publikë, duke shpërfillur kështu afatin e përcaktuar me Ligjin për faljen e borxheve publike.

E mërkura e 30 shtatorit ishte afati i fundit për hartimin dhe publikimin e listave të borxhlinjve publikë, ndërkohë që edhe pas kaq ditësh ato vazhdojnë të mos publikohen.

Por, sipas Ministrisë së Financave, nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit të gjitha Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike, kanë mundur të fillojnë me implementimin e Ligjit.

“Kjo varet se sa institucionet janë të përgatitura për të filluar me procedurat për faljen e borxheve. Për këtë vlen të përmendet se Departamenti i Tatimit në Pronë ka mbajtur trajnime me të gjithë zyrtarët përgjegjës të komunave për procedurat për implementimin e Ligjit për faljen e borxheve me theks të veçantë Tatimin në pronë,” është shprehur Muharrem Shahini nga kjo Ministri.

Nga një kërkim online rreth publikimit të listave të borxhlinjve publik në shtatë kryeqendrat e Kosovës, asnjëra prej këtyre komunave nuk i ka publikuar dhe interesimi për t’i parë borxhlinjtë e tatimit në pronë apo të ndërmarrjeve publike do të jetë i vazhdueshëm.

Për këto dy kategori shuma totale e faljes për periudhën deri me 31 dhjetor 2008, shkon në 522 milionë euro.

Vazhdon të mos publikohet as Udhëzimi administrativ për procedurat e faljes së borxheve publike, të miratuar në mbledhjen e 16 shtatorit të Qeverisë së Kosovës. Sipas deklarimeve në ekzekutiv, ky udhëzim publikohet tek pasi të marrë nënshkrimin e kryeministrit, Isa Mustafa.

Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ specifikojnë obligimet e institucioneve përkatëse në zbatimin e ligjit për faljen e borxheve, lidhur me hartimin e listave të borxhlinjve dhe publikimin e tyre.

Në borxhet që do të falën janë edhe rreth 148 milionë borxh ndaj ATK-së, rreth gjashtë milionë borxh ndaj Doganës së Kosovës, deri sa shuma totale e faljes shkon në 680 milionë euro. /Gazeta Tribuna/

Exit mobile version