Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i ka quajtur të papranueshme veprimet përçarëse, si djegia e makinave të serbëve të cilët i kanë konvertuar targat ilegale në RKS.
Borrell ka thënë se marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi, duhet të respektohen.
Këto deklarata ai i ka bërë në llogarinë e tij në Twitter, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Berlin ku do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor.
“Më vjen mirë që takova kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen”, ka shkruar Borrell.
Tutje, ai ka bërë thirrje që “të gjithë të veprojnë të përmbajtur”.
“Diskutuam gjithashtu rrugën përpara për normalizimin”, ka përfunduar ai.
Good to meet PM @albinkurti ahead of #BerlinProcess
Discussed the situation in north of Kosovo. Disruptive actions, such as burning of cars, are unacceptable
Dialogue agreements must be respected. Call on all to act with restraint
We also discussed way forward on normalisation pic.twitter.com/I4fdzD12Fm
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 3, 2022
Për takimin e Kurtit me Borrellin ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri është takuar edhe me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.
“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit”, thuhet në komunikatën për media.
Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, Kurti ka thënë se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Ndërkaq, ka bërë thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë.
“Sa i përket çështjes së energjisë, kryeministri foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/