Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, është deklaruar para takimeve të së hënës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se është e nevojshme për deeskalimin e situatës, duke avancuar drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Unë do të thërras nesër (e hënë) një takim urgjent të Dialogut Beograd-Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ne kemi nevojë për de-eksalimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell.
Takimet të hënës mbahen një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e ngasësve të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Bashkimi Evropian ka njoftuar se të hënën do të mbahet takim i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi.
BE-ja ka thënë se Kurti dhe Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Borrell do të pret Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8:00 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.
“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fund të takimit”, thuhet në njoftim.
Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 euro për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.
Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.
I am convening an emergency meeting of the Belgrade -Pristina Dialogue tomorrow with Prime Minister @albinkurti and President @predsednikrs
We need de-escalation of the situation, stop going from permanent crisis management & start advancing on normalisation of relations instead
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 20, 2022