Telegrafi

Borrell i njofton ministrat e jashtëm të BE-së për takimin Kurti-Vuçiq

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do t’i informojë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, saktësisht për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq që u mbajt më 15 qershor në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan më 15 qershor në Bruksel.

Kurti pas takimit në një konferencë për media tha se çështja e të pagjeturve nuk pret dhe duhet të trajtohet.

Ai deklaroi se tri nga katër propozimet e tyre në takimin në Bruksel janë refuzuar nga pala serbe.

Këto ishin katër propozimet e Kurtit:

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Ndryshe, takimi Kurti-Vuçiq u tha se kaloi mes tensionesh dhe ofendimesh.

Ata pritet të takohen sërish më datë 25 korrik në kuadër të procesit të dialogut, ndërkaq ende nuk ka pajtueshmëri për agjendën.