Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.
Borrell, i’a ka kthyer letrën kryeministrit Albin Kurti pas 5 pikave të propozuara nga ai, duke theksuar hapat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e situatës në veri.
Në deklaratën e tij, Borrell ka theksuar se është e nevojshme të merren parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe të konsiderohen si partnerë të plotë.
Si pikë e parë, ai ka thënë, se kryetarët e katër komunave veriore duhet që të punojnë nga lokacionet tjera, e që nuk janë ndërtesat e komunave.
Si hap të dytë ai ka përmendur tërheqjen e operacioneve policore të Kosovës në këto katër komuna, duke thënë që Njësia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet.
“Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, ka shkruar Borrell.
Ai gjithashtu ka thënë se pikë e tretë është që zgjedhjet në komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.
“Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe këtë kërkesë ia kemi bërë të qartë Vuçiqit”, ka thënë ai.
Borrell në këtë letër drejtuar Kurtit, ka theksuar se ai është i gatshëm të thërras takim të nivelit të lartë, me një parakusht.
“Unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për deskalimin e parë dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet e reja vendore”, ka thënë ai.
Në fund të deklaratës, Borrell ka përmendur se dështimi për të zvogëluar tensionet do të sjellë pasoja negative dhe se 27 shtetet anëtare të BE-së janë informuar për masat e nevojshme. Ai ka premtuar se këto masat do të komunikohen publikisht.
“Ashtu siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtetet anëtare të BE-së, dështimi për depërshkallëzim do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet anëtare janë informuar për masat dhe do të komunikojmë me to publikisht”, ka theksuar ai./Telegrafi/
Kosovo: After @JosepBorrellF received and read the highly publicised letter from Prime Minister Kurti, he answered, explaining 🇪🇺 expectations and steps needed for true de-escalation. Here is the response in full: pic.twitter.com/HDa2k66hMt
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) June 14, 2023