Site icon Telegrafi

Borrell dënon deklaratat izraelite për shkurtimin e ndihmës në Gazë

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dënuar deklaratat e ministrave izraelitë për shkurtimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

Duke shkruar në X, Borrell tha se sanksionet duhet të jenë në axhendën e BE-së dhe i kërkoi qeverisë izraelite të distancohet nga komentet dhe “të angazhohet në negociatata e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, për një armëpushim të menjëhershëm”.

Bëhet e ditur se komenti i diplomatit evropian vjen pasi Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, tha se transferimi i ndihmave humanitare dhe karburantit në brez duhet të ndalet “derisa të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi”.

Në të njëjtën kohë, Ben-Gvir bëri thirrje për pushtimin e përhershëm të Gazës, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se një delegacion nga Izraeli do të marrë pjesë në bisedimet e armëpushimit me Hamasin, për të negociuar lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gazë.

“Është gabim të ulesh me Hamasin, i cili përdhunoi, vrau dhe dogji foshnjat”, tha ministri izraelit.

“Nëse ua ndërpresim karburantin, brenda një jave ata do të binin në gjunjë. Pra, pse do të bëjmë një marrëveshje, veçanërisht një marrëveshje kaq të papërgjegjshme?”, shtoi ai.

Komentet e Ben-Gvir pasojnë edhe ato të Ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, i cili javën e kaluar tha se uria e civilëve palestinezë mund të jetë “justifikim”.

Borrell i quajti të dyja deklaratat “nxitje për krime lufte”. /Telegrafi/

Exit mobile version