Site icon Telegrafi

Bonucci: Juventusi është shtëpia ime

Leonardo Bonucci (Foto: Getty Images)

Pas kthimit te Bianconerët, Leonardo Bonucci e ka quajtur Juventusin shtëpi të tij.

Mbrojtësi italian u largua para 12 muajsh nga kampioni italian për t’iu bashkuar Milanit, ku u bë edhe kapiten.

Në gjashtë sezonet e mëparshme te bardhezinjtë, ai i fitoi gjashtë Scudetto radhazi. Mirëpo, në edicionin 2016/2017 i prishi raportet me trajnerin Massimiliano Allegri dhe disa lojtarë të Juves.

Leonardo Bonucci (Foto: Twitter/JuventusFC)

Sidoqoftë, pas vetëm një sezoni në San Siro, Bonucci është khtyer në Torino, si pjesë e një marrëveshjeje të shkëmbimit me Mattia Caldaran, ndërkohë që edhe Gonzalo Higuain është huazuar te Milani.

Lexo po ashtu Lajmet për Bonuccin

“Ka qenë vështirë të imagjinohet se kjo mund të ndodhë, por është fantastike që ka ndodhur”.

“Jam i gëzuar. Torino është shtëpia ime dhe Juventusi është shtëpia ime, prandaj jam vërtet i lumtur që jam kthyer”, ka thënë qendërmbrojtësi për kanalin e Juves në YouTube.

Pritet të shihet se si do të jetë reagimi i tifozëve në tribuna, kur Bonucci të luajë sërish me fanellën bardhezi.

Shumë pak tifozë e kanë mirëpritur kthimin e 31-vjeçarit te Zonja e Vjetër, derisa disa e kishin fishkëllyer gjatë arritjes në zyrat e Juventusit. /Telegrafi/

Exit mobile version