Site icon Telegrafi

Bojkoti i votimit për shkarkimit të kryetarëve në veri, Uglanin: Autogol për Listën Serbe dhe bashkësinë ndërkombëtare

Së pari, me peticion kërkuan largimin e tyre, tani po u bëjnë thirrje serbëve që të bojkotojnë votimin për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës.

Deklaratat kontradiktore të Listës Serbe kanë hutuar edhe një herë qytetarët – të cilët nuk e kanë të qartë nëse duhet të shkojnë në zgjedhje më 21 prill, kur është caktuar edhe votimi.

Zveçani është një nga katër komunat me shumicë serbe, kryetari i së cilës nuk ka hyrë në ndërtesën e komunës edhe një vit pasi zgjedhur. Tashmë qytetarët e veriut kanë bërë peticion për shkarkimin e tij dhe kryetarëve të tjerë në veri.

Votimi ishte caktuar për 21 prill, por ndërkohë erdhi thirrja për bojkot. Atë e bëri Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi zyrtar.

“Nuk e di nëse do të jetë, çfarë do të ndodhë. Siç vendosin ata, ashtu do të jetë, Lista Serbe, ata përfaqësojnë”, thotë qytetari nga Zveçani, për “N1”.

Një qytetar tjetër thotë se nuk e pranojnë tani për tani gjithçka që vjen nga institucionet e Prishtinës.

“Çdo zog në tufën e vet. Me popullin tonë, si të vendosë populli ashtu edhe ne”, vlerëson një banore e veriut, transmeton Telegrafi.

Përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë kanë reaguar ndaj shpalljes së bojkotit të votimit më 21 prill për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri, duke theksuar se nuk do të përfitojnë qytetarët që jetojnë atje.  Ata kërkuan tërheqjen e kësaj thirrjeje, rishqyrtimin e qëndrimeve në këtë drejtim dhe përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike në dispozicion për avancimin e demokracisë.

Lexo po ashtu Qytetarët në veri thonë se nuk do ta bojkotojnë votimin e 21 prillit

Organizata Joqeveritare “Demokracia Serbe” kërkon nga komuniteti ndërkombëtar përgjigje për një sërë pyetjesh.

“Pas kësaj, a do të tërhiqen bazat nga veriu, a do të kthehen pa kushte në ato institucione qytetarët tanë të nacionalitetit serb të cilët kanë dalë nga institucionet, pra policët dhe gjykatësit tanë dhe të tjerët. A do të ndryshojë struktura monoetnike e policisë dhe a do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, pyet Aleksandar Arsenijeviq, nga “Demokracia Serbe”.

Lexo po ashtu Ambasada amerikane: Shprehim keqardhje për deklaratat e Listës Serbe për votimin më 21 prill, do ta përcjellim nga afër këtë proces

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut tregon se sipas njohurive të tyre, rreth 20 për qind e popullsisë është larguar nga veriu i Kosovës.

“Mendoj se ata e panë situatën në terren se nuk mund të mbledhin numrin e nevojshëm të votave për të shkarkuar kryetarët dhe mendoj se ky tashmë është autogol për Listën Serbe dhe për komunitetin ndërkombëtar”, thotë Nexhad Uglanin.

Në prill të vitit të kaluar, serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri të Kosovës si shenjë pakënaqësie për vonesën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ndalimin e targave serbe. Më pas u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës në komunat veriore. /Telegrafi/

Exit mobile version