Telegrafi

Bojkoti i mundshëm ndaj Samitit të BE-së, Berisha: Aleanca pro Putinit në Ballkan

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur aleancë pro Putinit në Ballkan hezitimin e liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mos marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian me vendet e rajonit më 23-24 qershor.

“Aleanca pro Putin ne Ballkan! Vuçiç dhe Rama kërcënojnë Bashkimin Evropian me mospjesëmarrje në Samitin e Brukselit! Në një qëndrim sinkron në Beograd dhe Tiranë, Presidenti i “Serbomadhisë”, Aleksandar Vuçiç, dhe vasali i tij, Edi Rama, kërcënojnë me mospjesëmarrje”, ka shkruar Berisha në Facebook.

“Ky kërcënim i dy gangsterëve autokratë të Ballkanit Perëndimor duket si i urdhëruar nga Putin vetëm e vetëm për të shënuar kthesën e rajonit drejt projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur, me të cilin vendosen në rajon hegjemonizmi serb dhe influenca ruse”, shtoi Berisha.

Lexo po ashtu Rama pas bisedës me Kovaçevskin dhe Vuçiqin për samitin e BE-së: Duket se do të dëgjojmë një "Jo, më fal!" tjetër, çfarë do të bëjmë atje?!

“Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim antikombëtar dhe anti BE pro serbo-rus të Edi Ramës dhe ftoj shqiptarët të ngrihen në këmbë për të mbrojtur orientimin dhe integrimin euroatlantik të tyre!”, ka thënë në përmbyllje të postimit kreu i PD-së.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas një takimi virtual që ka pasur me Vuçiq dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në një postim në Twitter, Rama u shpreh se ka diskutuar gjatë me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë për qëndrimet e tyre në lidhje me Samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në Bruksel.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! E çfarë do të bëjmë atje?!”, ka thënë Rama.

Qëndrimet në takim i kanë shprehur edhe Vuçiq dhe Kovaçevski më herët. /Telegrafi/