Telegrafi

BE bllokoi rezervat e bankës qendrore ruse në vlerë të 200 miliardë eurove

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian bllokoi asetet dhe rezervat e bankës qendrore ruse me vlerë më shumë se 200 miliardë euro.

Shifra bazohet në raportet e shteteve anëtare të Bashkimit të dorëzuara në Komisionin Evropian, tha sot zëdhënësi i KE-së në Bruksel.

BE-ja ka ngrirë asetet e bankës qendrore të Rusisë si pjesë e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, shkruan dpa.

Të gjitha transaksionet që lidhen me menaxhimin e rezervave dhe aktiveve të bankës qendrore ruse janë të ndaluara, e cila për këtë arsye nuk ka më qasje në asetet e saj në bankat qendrore dhe institucionet private në Bashkimin Evropian.

Theksojmë se autoritetet ukrainase kanë bërë thirrje shpeshherë që të bllokohen të gjitha transaksionet bankare ruse me botën.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/