Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se sot ka zhvilluar biseda të mira dhe produktive telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Blinken, përmes postimeve në rrjetin social Twitter, ka treguar se gjatë bisedës me Kurtin kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne theksuam sesa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë bilateral dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. E falënderova edhe për mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës”, ka shkruar Blinken, transmeton Telegrafi.
Good call today with Kosovan Prime Minster @albinkurti. We discussed the importance of our bilateral partnership and Kosovo’s efforts toward European and Euro-Atlantic integration. I also thanked him for Kosovo’s unwavering support of Ukraine.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) October 11, 2022
Sekretari amerikan gjithashtu ka treguar përmbajtjen e bisedës me presidentin serb, Vuçiq.
“Kisha një bisedë produktive me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ne diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin rajonal. E urova Serbinë për hapjen e ambasadës së re në Uashington D.C.”, ka shkruar Blinken.
Productive call with @predsednikrs Aleksandar Vucic today. We discussed the importance of our bilateral partnership and Serbia’s continued commitment to European integration and regional peace and stability. I also congratulated Serbia on the opening of the new @SRBinUS in D.C.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) October 11, 2022
Ndërsa në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price lidhur me bisedën telefonike të sekretarit Blinken me kryeministrin Kurti, thuhet se u fol gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës për integrimet evropiane dhe euroatlantike si jetike për arritjen e paqes dhe mirëqenies së qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq në bisedën me presidentin Vuçiq, sipas Price, Sekretari Blinken nënvizoi mbështetjen e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
Në konferencën e përditshme për shtyp, duke folur për bisedat telefonike, Price theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës përballë agresioni rus.
“Kjo është një pjesë e botës që i di më mirë se shumë të tjerë pasojat e agresionit rus. Është një pjesë e botës që ka qenë një partnere kyçe në ndihmën për t’u ofruar partnerëve tanë ukrainas atë që u nevojitet”, tha Price.
Ndërkohë edhe kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq në njoftimet e tyre nga biseda telefonike me Blinken kanë theksuar kërkesën e Sekretarit amerikan për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje me njohjen reciproke. /Telegrafi/