Telegrafi

Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara nuk janë informuar nga Izraeli për datë të ofensivës në qytetin e Rafah

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë të ditur se Izraeli nuk ka informuar aleatët e ngushtë për çfarëdo date për ofensivën e madhe në qytetin Rafah në jug të Gazas.

Izraeli ka paralajmëruar prej javësh se do të nisë pushtimin e Rafah, vend ky për të cilin thotë se është ‘strehë” për militantët e Hamasit, transmeton Telegrafi.

Por edhe aleatët më të ngushtë të Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara janë kundër ofensivës dhe kanë paralajmëruar se një veprim i tillë do të shkaktonte dëme të mëdha te civilët.

Lexo po ashtu Biden e quan “gabim” qasjen e Netanyahut për luftën në Gaza

Blinken tha se zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë janë në kontakt të ngushtë, duke bërë gjithçka “që çfarëdo lloj operacioni i madh ushtarak të mos i dëmtojë civilët”.

Rreth 1.4 milion palestinezë gjenden në Rafah, kryesisht janë të zhvendosurit nga pjesë tjera nga Gaza. /Telegrafi/