Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka folur për numrin e vdekjeve të civilëve në Gaza.
Zyrtari amerikan pohoi se mund dhe duhet bërë më shumë për të minimizuar dëmtimin e civilëve palestinezë.
“Shumë palestinezë janë vrarë. Shumë kanë vuajtur këto javët e fundit”, tha Blinken në një konferencë për shtyp në kryeqytetin indian, New Delhit dhe shtoi se “ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar dëmtimin e tyre dhe për të maksimizuar ndihmën që u vjen atyre. Për këtë qëllim, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me Izraelin hapat konkretë që duhen ndërmarrë për ta dërguar përpara këto objektiva”.
Diplomati i lartë amerikan ka ndryshuar në mënyrë delikate mesazhet prej ditës kur u largua nga Lindja e Mesme në fillim të kësaj jave duke shprehur indinjatën me numrin e civilëve të vrarë në Gaza dhe pritshmëritë nga qeveria izraelite, raporton cnn.
Blinken tha se “është bërë njëfarë përparimi” që kur u takua në Izrael me kryeministrin, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë në Tel Aviv.
“Nuk ka zhvendosje të dhunshme të palestinezëve nga Gaza. Asnjë shfrytëzim i Gazës si një platformë për të nisur akte terroriste apo sulme të tjera kundër Izraelit. Asnjë zvogëlim i territorit të Gazës”, tha ai.
“Këto dhe disa ide të tjera që ne kemi paraqitur dhe që të tjerët ndajnë, mendoj se mund të fillojnë të jenë baza për atë që duhet të bëjmë. Ne kemi plane konkrete, gjëra konkrete për të cilat po punojmë. Do të rrisim sasinë e kamionëve me ndihma humanitare drejt Gazës”, pohoi Blinken.
Në fund, ai përsëriti se SHBA-ja do të vazhdojë të fokusohet pa pushim në sjelljen e pengjeve në shtëpi dhe ndalimin e zgjerimit të konfliktit. /Telegrafi/