Telegrafi

Blinken për varrin masiv në Izyum: Dokumentimi i krimeve ruse

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se raportimet për një varr masiv në qytetin ukrainas të Izyum janë pjesë e “brutalitetit rus” në Ukrainë.

Ai tha se është e nevojshme të mblidhen prova dhe të “dokumentohen krimet e kryera”.

Blinken tha se raportet për varrin masiv në Izyum janë “pjesë e një historie të vazhdueshme, të tmerrshme të brutalitetit rus” në Ukrainë, sipas bloomberg.

“Në shumë raste, kjo do të dërgojë në krime lufte”, tha Blinken në një konferencë shtypi të Departamentit të Shtetit.

Ai përsëriti se SHBA-ja nuk synon ta caktojë Rusinë si një shtet sponsorizues të terrorizmit, duke deklaruar se një vendim i tillë do të kishte “pasoja të padëshiruara”.

Policia ukrainase thotë se më shumë se 440 trupa janë gjetur në një varr masiv në qytetin verilindor të Izyum, të cilin Ukraina e ka marrë përsëri nën kontrollin e saj, dhe se disa viktima u vranë nga bombardimet dhe sulmet ajrore. /Telegrafi/