Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është parë i emocionuar teksa ka përshkruar imazhet e viktimave të sulmit të Hamasit që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndau me të dhe ekipin e tij.
“Një foshnjë, një foshnjë e mbushur me plumba. Ushtarëve iu pre koka. Të rinjtë u dogjën të gjallë në makinat e tyre, ose në dhomat e tyre të fshehta”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Izrael, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Dhe Blinken thuhet se përsëri e krahasoi sulmin e Hamasit me sulmet ndaj civilëve nga ISIS.
“Është përtej asaj që dikush do të imagjinonte ndonjëherë, aq më pak të shihte dhe, Zoti na ruajt, të përjetonte”, citohet të ketë thënë Blinken.
Deklarimet e tij vijnë pasi ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, iu bashkua një takimi të aleatëve të NATO-s, ku u tregoi homologëve të tij ”një video të disa prej mizorive të kryera nga Hamasi”.
Dhe shtetet anëtare i bënë thirrje Izraelit që t’i përgjigjet në mënyrë proporcionale sulmeve të Hamasit.
“Ne pamë një video tronditëse dhe sigurisht që raportet janë tronditëse. Kjo është gjithashtu arsyeja pse aleatët e kanë dënuar këtë sulm terrorist kundër civilëve në Izrael”, u tha Stoltenberg gazetarëve në Bruksel të enjten.
“Ndërsa ky konflikt evoluon, është e rëndësishme të mbrohen civilët dhe kjo u shpreh qartë gjithashtu. Ka rregulla lufte dhe ka kërkesa për proporcionalitet dhe kjo është theksuar nga shumë aleatë”. /Telegrafi/