Site icon Telegrafi

Blini shqip, konsumoni shqip

Panairi i parë “Blej Shqip”, i cili po mbahet pikërisht në ditën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit – i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

Sheshi “Nëna Terezë” është mbushur me prodhime ushqimore vendore, prodhime tekstili, veshje dhe simbole kombëtare etj.

Pjesëmarrësit në këtë panair thanë se ai është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në kohën e duhur.

Vezir Agushi nga Gjakova, i cili është pronar i bletarisë “Egzoni”, tha se presin që të kenë vizitor të shumtë. Ai gjithashtu pret që “konsumatorët të blejnë shqip, ngase produktet e Kosovës kanë vlera”.

Ndërkaq, me punime artizanale, duke e ruajtur një traditë të gjatë, mori pjesë në panair shkodrania Nebije Qoqa, së cilës i pëlqeu organizimi i këtij panairi si dhe mikpritja e punimeve artizanale të traditës shqiptare.

Qoqa tha se që nga dita e enjte, në tendën ku ajo ka ekspozuar punimet e qilimave, ka pasur shumë të interesuar. Ajo vlerëson shumë që tradita po pëlqehet në Kosovë, më shumë se në Shqipëri.

Ndërkaq, Enald Hoxha, prodhues nga Shqipëria, tha se ky panair është panairi më mirë i organizuar dhe se presin që kosovarët të njoftohen me prodhimet e Shqipërisë si dhe prodhuesit e Shqipërisë të njihen me tregtarët kosovarë dhe me prodhimet kosovare.

Hoxha, i cili kishte sjellë pije të ndryshme në panair, tha se “tashmë duhet që gjithçka të blihet shqip, ngase jemi shqiptarë, ndërsa prodhimet e shqiptarëve janë më të mira se të kujtdo tjetër”. /KP/

Exit mobile version