Telegrafi

Blerja e dronëve Bayraktar nga Kosova – si e komentojnë profesoresha e Universitetit të Massachusetts dhe profesori Universitetit të Dublinit?

Vendimi i Turqisë për të furnizuar Kosovën me dronë ka ngjallur zemërim në Serbi, e cila e ka quajtur atë “të papranueshëm”.

Tensionet mes dy fqinjëve kanë qenë në rritje gjatë vitit të kaluar, duke kulmuar muajin e kaluar me dhunën në veri të Kosovës, ku u plagosen disa ushtarë të NATO-s.

Kosova akuzoi Beogradin për nxitje të tensioneve në veri të vendit,  duke mbështetur militantët që sulmojnë institucionet shtetërore dhe kërkojnë të minojnë sovranitetin e vendit.

Gjatë fundjavës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shfaqi me krenari blerjen e dronëve Bayraktar TB2, model të cilin po e shfrytëzojnë ukrainasit kundër pushtuesve rus, e cila gjë shkaktuar zemërimin e Serbisë.

Shfaqja e pajisjes së re mbrojtëse nga Kosova kishte për qëllim të paralajmëronte fqinjin e saj se do të mbrohej nëse do të ishte e nevojshme kundër përpjekjeve të Serbisë për të minuar kufijtë e vendit, tha Sidita Kushi, asistent profesoreshë në shkencat politike në Universitetin Shtetëror Bridgewater në Massachusetts.

“Në sfondin e mbështetjes perëndimore në dukje në rënie [për Kosovën] dhe përplasjeve të shumta midis serbëve dhe policisë së Kosovës dhe trupave të KFOR-it [një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO] në veri, popullsia e Kosovës ka nevojë për garanci në lidhje me sigurinë e saj të ardhshme”, tha ajo për Middle East Eye.

Turqia ka qenë më se e gatshme të marrë rolin e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, ndërsa po përpiqen të tërheqin Serbinë larg orbitës së Rusisë.

Një burim i afërt me qeverinë Kurti duke folur për MEE tha se Qeveria e Kosovës në të kaluarën kishte zgjedhur të ruante një distancë publike nga administrata turke e presidentit, Recep Tayyip Erdogan “pavarësisht marrëdhënieve të forta institucionale”.

Kishte një frikë në Prishtinë se nëse do të kishte një perceptim se Kosova ishte shumë e lidhur me Erdoganin, “mund të ngrinte dyshime në perëndim”, tha burimi.

“Sidoqoftë, është thelbësore që liderët perëndimorë të pranojnë se Kurti është një politikan pragmatik që e kupton real-politikën dhe i përshtatet rrethanave në ndryshim. Brenda lidershipit të Kosovës, qetësimi i vazhdueshëm i Serbisë nga Perëndimi ka sjellë në fokus të thellë rëndësinë strategjike të Turqisë”, shtoi burimi.

Lexo po ashtu Dronët Bayraktar, analistët: FSK po profesionalizohet dita-ditës,pajisjet mund të përdoren për identifikim dhe gjurmim

“Si rezultat, ndikimi turk në Kosovë ka të ngjarë të forcohet në mënyrë të konsiderueshme, duke dërguar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”, shtoi ajo.

I zemëruar me shitjen e dronëve për Kosovën, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha muajin e kaluar se vendi i tij kishte anuluar blerjet e planifikuara të dronëve nga Turqia.

Nemanja Staroviq, sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes në Serbi, i tha MEE se ambasadori turk në vend ishte thirrur pas blerjeve të fundit të dronëve nga Prishtina.

Staroviq shtoi se vendi i tij donte të “shprehte shqetësime serioze për faktin se disa vende anëtare të NATO-s, përfshirë Turqinë, mbështesin aktivisht militarizimin e paligjshëm në terren duke trajnuar dhe pajisur Forcë të Sigurisë së Kosovës, që synon transformimin e saj në një ushtri të plotë”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës vuri në dukje gjatë fundjavës se ka rritur në mënyrë dramatike numrin e ushtarëve si dhe buxhetin e saj ushtarak.

Lexo po ashtu Berisha: Blerja e dronëve është meritë e planifikimit të mirë që ka bërë FSK-ja

“Këto deklarata synojnë gjithashtu të tregojnë se Kosova mund të ndërtojë një politikë sigurie përtej varësisë së saj historike ndaj NATO-s dhe BE-së”, tha Kushi.

Buxheti ushtarak i Kosovës prej 127 milionë eurove është ende i zbehtë në krahasim me atë të Serbisë që është 1.2 miliard euro.

“Blerjet e armëve të Kosovës nga Turqia synojnë të kenë natyrë mbrojtëse, në kontekstin e agresionit historik të Serbisë dhe provokimeve të fundit”, tha Kushi.

Ndërsa, Perëndimi është përpjekur gjithnjë e më shumë të bëjë pazare për sigurinë e Kosovës në ndërveprimet e tyre me Serbinë – kjo ka paraqitur një dilemë sigurie për Prishtinën lidhur me atë se kujt mund t’i drejtohet për nevojat e saj të mbrojtjes.

Nga ana tjetër, çdo hap që e bën “Kosovën të ndihet më e sigurt, si blerja e armëve të reja ose një ushtri në rritje, në mënyrë të pashmangshme do ta bëjë Serbinë të ndihet më pak e sigurt… pavarësisht synimeve të qarta mbrojtëse të Kosovës”, paralajmëron Kushi.

NATO rreth blerjes së dronëve deklaroi se Prishtina nuk kishte autoritet mbi hapësirën e saj ajrore.

“Unë e interpretoj përgjigjen perëndimore – duke përfshirë vërejtjet [e NATO-s] për blerjen e dronëve dhe pohimin e tyre të sovranitetit mbi hapësirën ajrore të Kosovës – si një përpjekje për të frenuar dhe kufizuar përpjekjet e Kosovës për të rritur sovranitetin e saj të brendshëm”, tha Gëzim Visoka, profesor i asociuar i studimeve të paqes dhe konfliktit në Universitetin e Dublinit.

Ajo që është shqetësuese, shtoi Visoka, duke folur për MEE, është “dëshira e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s për të rikthyer Serbinë si një lojtar të rëndësishëm në punët e brendshme të Kosovës”.

Lexo po ashtu Blerja e dronëve “Bayraktar TB-2”, reagimi i KFOR-it dhe deklaratat e ekspertëve të sigurisë

“Përpjekjet e Kosovës për militarizimin mund të shihen si përgjigje ndaj shpenzimeve më të mëdha ushtarake të Serbisë në rajon, pamundësisë për t’u përballur me të kaluarën e saj të dhunshme dhe dështimit për të ofruar garanci se mizoritë nuk do të përsëriten kundër Kosovës dhe të tjerëve në rajon”, shtoi Visoka.

Militarizimi në rritje nga shtetet e Ballkanit, paralajmëron Visoka, është “lajm i keq” për rajonin, sepse është një tregues se përpjekjet për të zgjidhur çështjet në rrugë diplomatike po dështojnë.

“Edhe pse mbështetja ose kundërshtimi ndaj militarizimit varet nga rrethanat dhe interesat e përfshira, nuk është problem nëse blihen armë nga aleatët perëndimorë; Problemi lind kur ato blihen nga fuqi të tjera në rritje apo rivale”, theksoi Visoka. /Telegrafi/