Ish-prokurori special, Elez Blakaj, i cili u bë veçanërisht i njohur për publikun pasi u mor me rastin “Veteranët e UÇK-së”, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të mos e dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Ai përmes një postimi në Facebook e ka emërtuar rrjedhën e kësaj ngjarjeje si “Shkas dhe Pasojë.”
Sipas tij, shkeljet e evidentuara edhe nga organizma të tjerë nuk do të kalojnë te Presidenca.
“Shkeljet e evidentuara gjatë procesit të monitorimit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe shoqëria civile, nuk kalojnë tek institucioni i Presidentit të Shtetit”, ka shkruar Elez Blakaj.
E për cilësitë e, siç iu ka referuar ai, “interpretuesve” të vendimit të Osmanit ka përdorur shprehje interesante.
“Të gjithë ata të cilët provojnë të bëjnë interpretime lidhur me vendimin/njoftimin e Presidentes së Shtetit, shkëputur nga problemet e evidentuara gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit janë të njëanshëm ose të verbër profesionalisht”.
Ish-prokurori, tashmë i shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka konsideruar se me veprimin e saj presidentja Vjosa Osmani ka ushtruar kompetencat e saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Sipas Blakajt, një veprim ndryshe do të përbënte shkelje.
Ai ka kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar se po aplikon standarde të dyfishta për situata të ngjashme dhe pozitë të njëjtë.