Blaise Matuidi ka treguar se familja dhe David Beckham ishin ndër arsyet kryesore pse vendosi të largohej nga Juventusi dhe t’i bashkohej Inter Miamit.
Kampioni i botës arriti marrëveshje për ndërprerjen e kontratës me Zonjën e Vjetër pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, ndërsa klubi nga MLS ishte destinacioni i radhës.
33-vejçari ka thënë se bisedimet kishin vazhduar për disa muaj, ndërsa Beckham e dëshironte te klubi i tij, futbollistin me të cilin kishte luajtur te Paris Saint-Germaini.
“Kontakti i parë ishte në dhjetor. Një i afërt me Davidin më kontaktoi për të më pyetur nëse isha i interesuar. Asokohe, thashë me vete se ishte shumë herët për karrierën time. Duhej të zhvillohej Kampionati Evropian, ndërsa problemet me COVID-in nuk ekzistonin. Për mua, ishte e qartë se do të qëndroja te Juventusi”.
“Sërish më kontaktuan në qershor duke më thënë se akoma ishin të interesuar. David dëshironte shumë që unë të isha francezi i parë që i bartte ngjyrat e klubit të tij. Gjërat kishin ndryshuar”.
“Izolimi më bëri të kuptoj se sa shumë duhet të mendoj për familjen. Ata veçmë ishin gjëja më e dashur për mua, por pas mbylljes me ta për dy muaj, lidhja u bë shumë më e fortë. I thash vetes se duhej të mendoja gjithmonë për fëmijët e mi në radhë të parë, edhe pse atyre u pëlqente qëndrimi në Itali”.
“Shikova prapa në karrierën time dhe i thash vetes: ‘Çfarë dëshiron të arrish më shumë?’”, ka deklaruar Matuidi për L’Equipe.
Mesfushori njëherësh ka rrëfyer se kishte biseduar personalisht me Beckhamin: “Më tha se ishte shumë i lumtur që kam nënshkruar dhe se do të jetë aty për të më ndihmuar. Do të jetë nder të luaj për klubin e tij. David është një shembull brenda dhe jashtë fushës. Është rruga që dua ta ndjek”.
Edhe pse do të luajë në MLS, francezi ka thënë se nuk ka hequr dorë nga kombëtarja e Francës, megjithëse e din që nuk do të jetë ndër të parët në listën e përzgjedhjeve. /Telegrafi/