Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se do ta largojë taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë për ta zbatuar reciprocitetin, si masë mbrojtëse për prodhuesit.
Përfaqësues të biznesit thonë se do ta përkrahin çdo nismë të qeverisë që lidhet me këtë çështje.
“Do të zëvendësojmë tarifën 100 për qind dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Produktet që prodhohen në Kosovë e të cilat i nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës jo lojale do të mbrohen”, kishte thënë Kurti në Konventën e Dytë të Prodhuesve.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha në një intervistë për Telegrafin ka thënë se, Serbia duhet të paguaj çmimin për qasjen në tregun e Kosovës.
“Qeveria duhet të konsultohet se cili është qëndrimi ynë së çfarë mendojmë. Edhe në me Serbinë, duhet ta detyrojmë që të paguaj një kosto për qasje në treg të Kosovës, se çfarë kosto do të jetë ajo, kthimi i sigurimeve pensionale apo depozitat bankare, pra duhet të kemi një përllogaritje të barabartë. Diku 500 milionë euro janë eksportet e Serbisë në Kosovë, se çka merr Kosova në atë vlerë si kundërpërgjigje. Duhet të negociohet me këtë formë me Serbinë”, tha Panxha.
Kurse drejtori ekzekutiv i kompanisë Flexograf, Berat Mustafa thotë se vendosja e reciprocitetit do ta mundësoj tregtinë e lirë në rajon.
“Çdo herë jemi në përkrahje të qeverisë për vendimet që i merr. Ne mendojmë se taksa 100 për qind e ka bërë të vetën, është vetëdijesuar populli, prodhuesit ja kanë dalë t’i kompensojnë prodhimet nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina. Unë mendojë se tash është koha se kur duhet të futet reciprociteti, ku ne edhe sot kemi problem me lëvizjen e lirë të individëve dhe maunave. Prandaj, ne si prodhues jemi për masën e reciprocitetit dhe për një tregti të lirë e të hapur me rajonin”, thotë Mustafa për Telegrafin.
Po ashtu, pronari i kompanisë Jaha Solar, Fadil Hoxha në një prononcim për Telegrafin, shprehet se vendosja e këtyre masave do të ndihmojë konkurreshmërinë.
“Çdo masë që neve na jep një mbështetje nga qeveritë, që të na bëjë të barabartë në konkurrim me të tjerët, atëherë çdo masë është e mirë se ardhur. Sikurse që ishte taksa 100 për qind, e që është ende në fuqi dhe që pritet masë e re, për neve si prodhues është e mirë se ardhur. Këto masa neve si prodhues na ndihmojnë në konkurrueshmëri, patjetër janë të mirë se ardhura”, shprehet Hoxha.
Kujtojmë se qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në muajin nëntor 2018, kishte vendosur taksën doganore për mallrat serbe dhe boshnjake që vijnë në drejtim të Kosovës. /Telegrafi/