Site icon Telegrafi

Bizneset, të varura nga kreditë bankare (Video)

Bizneset në vend vazhdojnë të jenë të varura nga kreditë bankare. Vetëm brenda një viti e gjysmë, afër një miliard euro janë lëshuar kredi bankare për bizneset në Kosovë, raporton KTV.

Që nga janari deri në gusht të këtij viti, bankat kanë lëshuar rreth 439.5 milionë euro kredi, duke e rritur për 17% vlerën e kredive të reja të lëshuara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nga kjo shumë, 303.3 milionë euro janë dhënë për qëllime investuese të ndërmarrjeve, ndërsa 136.2 milionë euro janë dhënë për qëllime joinvestuese të ndërmarrjeve.

E, për përfaqësuesit e bizneseve, ulja e normave të interesit për kredi i ka ndihmuar bizneset. Ata vlerësojnë se përfshirja e institucioneve të tjera financiare do të mundësonte që bizneset me projekte të mëdha kapitale të mund të zhvillonin biznesin.

Megjithatë, njohësit e ekonomisë thonë se bizneset duhet të jenë të vetëdijshme se për çfarë marrin kredi, në mënyrë që ta dinë se cili është përfitimi. Përveç procedurave burokratike, me të cilat janë përballur dy vjet më parë bizneset, ato kishin edhe problemin e normave të larta të interesit, të cilat ishin mbi 12 për qind.

Tash bankat japin kredi me norma të interesit prej 6-7 për qind, duke e lehtësuar kështu edhe mënyrën e dhënies së kredisë.

Exit mobile version