Site icon Telegrafi

Bislimi: Zelli i Isa Mustafës për gjendjen e jashtëzakonshme përputhet me ambicien e presidentit Thaçi

Ministri i Financave dhe Transfereve, njëherësh edhe nënkryetari i LVV, Besnik Bislimi, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Isa Mustafa, pasi ky i fundit ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për ta parandaluar pandeminë e coronavirusit.

Bislimi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “masat e jashtëzakonshme tashmë ishin duke u aplikuar dhe ato jemi duke i shtuar. Kosova është ndër vendet që i ka marrë masat më herët, dhe pa mëdyshje qeveria e ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore”.

“Problemi qëndron te zelli i Mustafës për të kërcyer menjëherë në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, zell ky që përputhet me ambicien e Presidentit. E, dihet pse Presidenti ka këtë ambicie: ai nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në çastet e fundit me 3 shkurt u përpoq ta parandalonte Qeverinë e re”, ka thënë Bislimi.

Postimi i plotë i Bislimit:

“1. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se para pesë ditëve “dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme”. Në fakt, masat e jashtëzakonshme tashmë ishin duke u aplikuar dhe ato jemi duke i shtuar. Kosova është ndër vendet që i ka marrë masat më herët, dhe pa mëdyshje qeveria e ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore. Problemi qëndron te zelli i Mustafës për të kërcyer menjëherë në shpalljen e gjendjeë së jashtëzakonshme, zell ky që përputhet me ambicien e Presidentit. E, dihet pse Presidenti ka këtë ambicie: ai nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në çastet e fundit me 3 shkurt u përpoq ta parandalonte Qeverinë e re.

2. Nuk i ka hije një anëtari të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës të përdorë shprehje të tilla si “papagaj” e “kokëkrisur”. Kjo nuk është as në frymën institucionaliste dhe as rugoviste të LDK-së me të cilën ne duam të bashkëqeverisim. Me fjalorin tonë publik ne japim shembujt për qytetarët. Bashkëpunimi ynë kërkon shembuj të mirë, jo të këqinj.

3. Isa Mustafa asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që ka hyrë në koalicion me PAN-in dhe asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që e ka bërë, me veprime korruptive, Hashim Thaçin president. Por po shohim se e gjykon veten që e ka bërë kryeministër dikë i cili fitoi legjitimitet me zgjedhje demokratike e që ka në plan të parë luftimin e krimit dhe korrupsionit, dikë në mbrojtje të të cilit janë vënë gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit. Z. Mustafa duhet të heqë dorë nga asocimi me figurat e PAN-it, dhe duhet ta forcojë qeverinë e përbashkët LV-LDK në luftën kundër virusit”, ka shkruar Bislimi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas viktimës së parë nga coronavirusi në Kosovë, duke ngritur dyshimet e tij nëse Qeveria është duke ndërmarrë masat e duhura në luftimin e kësaj epidemie.
Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Çështja [e coronavirusit] u trajtua me konspiracion nga Kryeministri”.

Lexo po ashtu Mustafa: Kurti po e trajton me konspiracion coronavirusin

“Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3”, ka thënë Mustafa.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot përmes një postimi në Facebook, theksoi se në rast nevoje, institucionet duhet të jenë të gatshme që menjëherë të shpallin Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Lexo po ashtu Thaçi: Nëse ka nevojë, të jemi të gatshëm për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Në Kosovë të dielën është shënuar viktima e parë nga coronavirusi. Deri më tash, 31 persona janë të prekur nga ky virus.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha të dielën se ka kërkuar masa shtesë nga qeveria për mbrojtjen e shëndetit publik. /Telegrafi/

Exit mobile version