Site icon Telegrafi

Bislimi në Francë takon sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane – zhvillimet e fundit në Kosovë temë diskutimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi të enjten takoi sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.

Sipas një njoftimi për media, në këtë takim u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Në lidhje me integrimin evropian, ai theksoi se Republika e Kosovës mirëpret planin e ri për zgjerim dhe se mbetet e përkushtuar maksimalisht për hapa të rëndësishme përpara në këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e shpërndarje të barabartë për të gjitha shtetet.

Kosova është tashmë në vitin e 7-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjendet e përgatitur institucionalisht për marrjen e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Sa i përket procesit të dialogut, Bislimi tha se Kosova në vazhdimësi ka qenë palë konstruktive.

“…Përmes shkeljeve të shumta të Marrëveshjes Bazike, Serbia ka dëshmuar se është palë bllokuese në këtë proces”, citohet të ketë thënë Bislimi.

“Në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai theksoi se ishte një akt agresioni i një shteti kandidat për anëtarësim në BE, kundër një kandidati ende potencial për anëtarësim”, citohet të ketë thënë më tej zëvendëskryeministri,

Sipas njoftimit, po ashtu u diskutua dhe mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale me Francën dhe mundësitë për thellimin e tyre.

“Paraprakisht zëvendëskryeministri Bislimi pati një takim dhe me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ku vlerësoi lartësisht kontributin e angazhimin e Francës në rajon.

Prezent në këto takime ishin dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Zëvendës Drejtori i Departamentit për Ballkan në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Nicolas Faye”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version