Telegrafi

Bislimi: Takimi i kryenegociatorëve në Bruksel më 16 nëntor, por kompromiset tashmë kanë përfunduar

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se takimi i radhës në Bruksel mes dy kryenegaciatorëve do të mbahet më 16 nëntor.

Sipas tij, dakordimi i vetëm në takim me Lajçakun në Kosovë, është për këtë takim që do të mbahet të enjten.

“Takimi i radhës mes kryenegociatorëve mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel dhe ky është dakordimi i vetëm që kemi arritur. Ky është hapi i radhës për të cilin jemi dakorduar, d.m.th. takimi i radhës në Bruksel më 16 nëntor” ka thënë Bislimi.

Lexo po ashtu Bislimi me disa vërejtje për Raportin e Progresit: Janë disa arritje që është dashur të vlerësohen dhe theksohen më shumë në këtë raport

Sipas tij, nuk ka më kompromise në negocim, sepse ato kanë përfunduar.

“Jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në plotni, pa parakushte dhe pa vonesa dhe për të siguruar që marrëveshjet na dërgojnë drejt normalizimit dhe jo drejt eskalimit të konfliktit”, ka deklaruar Bislimi.

“Nëse lexoni me vëmendje Raportin e progresit do ta shihni që lista e shkeljeve sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog është shumëherë më e madhe nga Serbia”, ka shtuar Bislimi/Telegrafi/